II

1963 Words
II Stefano Xamanji e njihte Karla Mexogorin sepse banonin në të njëjtën rrugë, pak metra larg njëri tjetrit: ai gjendej më afër Sheshit Republika dhe ajo në kryqëzimin me segmentin e parë të rrugës Venecia. Hera e parë që kishin folur bashkë ndodhi rastësisht kur, një ditë, ai e ndihmoi të nxirrte nga makina një pako të rëndë dhe qe treguar i gatshëm, duke parë peshën e rëndë, t’ia çonte të paktën deri brenda hyrjes së pallatit. Po kalonte afër makinës së gruas kur, duke e parë në vështirësi, i kishte ofruar ndihmën e tij. Ajo e kishte falenderuar dhe pastaj secili kishte vazhduar në rrugën e vet. Që prej asaj dite, kishte qëlluar disa herë që të shkëmbeheshin në trotuar dhe të përshëndeteshin me njëri tjetrin dhe, me kalimin e kohës, inspektori i policisë kishte nisur të njihej me gruan dhe, më pas edhe me të shoqin. Kjo marrëdhënie e Xamanjit me Karla Mexogorin dhe Xhuzepe Ruspolin nuk mund të përkufizohej si një miqësi e vërtetë me plot kuptimin e fjalës, por pak a shumë si një njohje e mirë mes palëve. Madje ata e kishin ftuar disa herë Xamanjin për darkë të kalonte ca orë në shoqërinë e tyre, dhe ai, si për t’ua shlyer, u sillte nganjëherë ndonjë pije dhe nganjëherë i ftonte për mëngjes në bar kafe. Në të gjitha muhabetet që bënin, bisedonin për tema të shumëllojshme, mes të tjerash edhe për punën (Karla ishte nënpunëse shteti në zyrën postare të Bolonjës në lagjen Maxini, i shoqi punonte në një ofiçinë mekanike; dhe në këtë moment u erdhi shumë habi kur morën vesh që Stefano Xhamanji ishte inspektor policie), si edhe për kujdesin që Karla tregonte për nipin e saj emiplagjik, lidhjen që kishte vendosur me të dhe faktin që ajo dhe i shoqi nuk kishin fëmijë nga frika se një fëmijë i tillë mund t’u lindte dhe atyre. Sigurisht që në muhabetet e tyre nuk mungonin bisedat për tema nga më të thjeshtat. Me aq sa dinte për familjen, Xamanji e pyeste shpesh Karlën për gjendjen shëndetësore të të nipit pa dashur të fuste hundët në çështjet familjare, dhe ajo i përgjigjej se gjendja e tij ishte pak a shumë e stabilizuar. Natyrisht që inspektori nuk e nxirrte gjithmonë atë temë bisede të dëshiruar prej tij, por përfitonte shpesh nga fakti që ishte gruaja e para ajo që e hapte këtë bisedë. Vetëm e pyeste shkarazi se si ishte djaloshi me shëndet, pasi fundi i fundit i vinte shumë keq që njerëzit përjetonin këto lloj situatash. Një herë, madje Karla i kishte folur për marrëdhënien jo të mirë që kishte me të kunatën dhe për faktin që i vëllai, babai i djalit, vite më parë ishte larguar pa lënë gjurmë. Nga kjo Xamanji kishte mundur ta merrte me mend se ajo familje gjendej në kushte të vështira ekonomike. Gjithë këto mendime i faniteshin nga koka inspektorit kur ai gjendej në punë, tepër i zënë me zgjidhjen e ndonjë çështje pak a shumë të koklavitur. Mes të tjerash, s’kishte pak që kishte përjetuar fundin e paparashikueshëm të atyre që ndodhën me Shoqatën Atropos. Xamanji akoma nuk arrinte ta kuptonte vërtetësinë e gjërave: ishte i angazhuar ta çonte deri në fund atë që me sa dukej ishte një hetim policor i zakonshëm, derisa ndodhi diçka e veçantë për të cilën nuk do t’i kishte shkuar mendja fare. Dhe gjithçka kaq shpejt. Po dëgjonte me vivavoçe një telefonatë që mund ta çonte gjer tek autori i gjithë këtyre ndodhive, kur ndërkohë, mbërriti aty Ema Simoni, komshia e tij, që po i sillte disa prej specialiteteve që zakonisht përgatiste, dhe në atë moment ajo njohu zërin që po fliste nga ana tjetër e telefonit. Xamanji ndërkohë nuk kishte kuptuar asgjë ça po ndodhte, të paktën për momentin, pastaj menjëherë kishte bërë lidhjen e duhur megjithëse nuk arrinte ta kuptonte sesi qe e mundur një gjë e tillë. Me sa dukej, ai që po fliste në atë telefon celular kishte lidhje me Atroposin, por në njëfarë mënyre kishte lidhje edhe me Daniele Santopietron, me të cilin inspektori Xamanji kishte pasur të bënte kohë më parë. Pastaj ishte edhe letra që i qe dërguar dhe ato telefonata që kishte marrë. Nuk ju ka ardhur asgjë? Do të thotë se do mbërrijë shpejt. Ndërkohë doja t’ju përgëzoja, i kishte thënë bashkëbiseduesi, pastaj kishte mbyllur telefonin për ta marrë pak minuta më vonë. Doja madje t’ju informoja edhe për diçka tjetër, kishte shtuar ai, ekziston një rregull i famshëm që secili të merret me punët e veta, pa futur hundët në punët e të tjerëve. Mendoja se e dinit, por me sa duket jam gabuar. Në periudhën pas përfundimit të hetimeve mbi Shoqatën Atropos, Xamanji i ishte përveshur punës për të zbuluar misteret që akoma endeshin rreth Daniele Santopietros, asaj letre të koduar që i qe dërguar dhe personit të panjohur që e kishte marrë në telefon. A ishte e mundur që të ekzistonte ndonjë lidhje mes të gjithë këtyre ? Dhe ndoshta, nga çfarë? Do të merrej me çdo detaj në kohën e duhur bashkë me agjentin Finoki, që e kishte ndihmuar gjithmonë me hetimet deri atë moment dhe që ashtu si edhe ai, kishte pasur të bënte me Daniele Santopietron. “Tani më duhet të dal për të blerë nja dy gjëra”, i tha të birit Marisa Lavexoli, duke ndezur televizorin. “Do të të lë vetëm për pak. Rri i qetë dhe shiko ndonjë gjë. Ça kanali të pëlqen?” Ai i dha të kuptojë se në atë moment secili nga kanalet ishte pak a shumë njëlloj si tjetri. E ëma e vuri telekomandën mbi tavolinë dhe doli. Kur u kthye pas gati gjysëm ore, e gjeti të birin aty ku e kishte lënë, me vështrimin të ngulur tek televizori, si i shtangur. “E pe që u vonova fare pak?”, tha ajo, “Tani jam krejt në dispozicionin tënd. Po shkoj të ulem në kuzhinë për të lexuar diçka. Nëse ke nevojë për ndonjë gjë, më bëj një zë.” I biri ia ktheu me një gjest dakordësie dhe, pas pak kohe, gjithmonë duke mbajtur televizorin ndezur, dëgjoi të ëmën tek shfletonte. Edhe ajo mbrëmje ishte si gjithë të tjerat, me infermieren që mbërriti me përpikmëri për të bërë injeksionin e toksinës botulinike dhe që e ndihmoi Marko Mexogorin të shtrihej. Sapo dëgjoi zilen e derës, Marisa Lavexoli hoqi mënjanë ato që po lexonte, pastaj priti Daniela Rosin të cilës iu desh vetëm aq kohë sa të bënte punën dhe paskëtaj u largua. Nata kaloi e qetë deri në agim, ashtu si edhe dita e nesërme. Në ditën që pasoi, ndodhi një tragjedi. Ishte një nga ato ditë kur Karla Mexogori, tek shkonte për në punë, ndalonte për të përshëndetur të nipin Marko dhe kunatën e saj dhe, sapo mbërriti në shtëpinë e tyre, dera u hap nga Marisa Lavexoli që kishte një pamje krejt ndryshe nga zakonisht. I lexohej mjaft qartë dëshpërimi, i një personi që ka humbur gjithçka që kishte dhe që nuk i ka mbetur më asgjë tjetër. “Çfarë ka bërë vaki, Marisa?”, e pyeti Karla duke hyrë brenda, “Ka ndodhur ndonjë gjë?” Më pas edhe asaj i shteruan fjalët për ca çaste duke parë skenën që gjendej përpara dhe, pasi iu desh ca kohë që të merrte veten nga tronditja e fortë, e pyeti: “Si ndodhi?” Kunata priti disa sekonda para se të përgjigjej, pastaj foli vetëm këto fjalë: “Nuk di si ta shpjegoj”. Pasi fshiu disa lotë që po i rrëshqisnin në fytyrë, vazhdoi: “E gjeta kështu kur u ktheva. Vajta për një moment në supermerkaton këtu afër, do kem qenë jashtë ndoshta... njëzet minuta, tridhjetë maksimumi.” Karla i fiksoi sytë për një çast tek i nipi emiplegjik, që gjendej i palëvizur mbi dyshemenë e dhomës së ndenjies, pastaj vajti tek dritarja e hapur. “Atëherë, e ke ndonjë ide se çfarë mund të ketë ngjarë këtu?”, pyeti Karla Mexogori, me zë të dridhur. “E vetmja gjë që më vjen në mend është se dikush mund të ketë hyrë nga dritarja për të vjedhur dhe këtu është përballur me Markon.” “A pe se mos të kanë vjedhur ndonjë gjë?” “Akoma. As më ka rënë ndërmend”, iu përgjigj kunata, “Jam akoma e shokuar.” “Mendoj se gjëja më e mirë që duhet bërë është të lajmërojmë Policinë.” “Sinqerisht, për momentin nuk e ndjej të nevojshme”, e kundërshtoi Lavexoli, “Do doja fillimisht të merrja veten të paktën nga kjo ça ka ndodhur.” “Si të duash”, i tha Karla, pa replikuar, “gjithsesi të këshilloj që të lajmërosh Forcat e Rendit në mënyrë që të hetojnë sa më parë të jetë e mundur.” “Nuk do harroj ta bëj”, tundi kokën e kunata, pa e fshehur dëshirën e saj për t’ia prerë sa më shkurt, ndërsa Karla me të arritur në shtëpi, ia tregoi ngjarjen të shoqit Xhuzepe, i cili e këshilloi që të sinjalizonte inspektorin Xamanji për atë çfarë kishte ndodhur. “Duke qenë se ai është në Polici, mundet të na ndihmojë më shumë se kushdo tjetër, dhe fundja merr përsipër ta hetojë vetë çështjen”. E shoqja e miratoi duke tundur kokën. Stefano Xamanji sapo kishte mbaruar së sistemuari të gjitha materialet në tryezën e vet të punës në lidhje me rastin e Daniele Santopietros, si edhe letrën që i ishte dërguar pasi mbaroi çështja me Shoqatën Atropos, kur në atë moment ra zilja e telefonit. “Të bezdis?”, e pyeti Karla Mexogori. “Isha duke kontrolluar disa gjëra, gjithsesi nuk më bezdis aspak. Më thuaj. “Epo... të kujtohet Marko, nipi im emiplegjik?” Xamanji tundi kokën. “Dje mbrëma, duke u kthyer nga puna, vajta për ta parë si ishte dhe, kur mbërrita aty, u gjenda përpara një skene që do kisha preferuar mos ta kisha parë kurrë.” “Çfarë ka ndodhur?” “Nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur”, nisi të shpjegonte Karla Mexogori, ”sidoqoftë kunata ime ishte e mbushur në lot dhe nipi im gjendej i shtrirë mbi dysheme, pa jetë. Ishte vetëm në shtëpi, siç më sqaroi kunata. Ndoshta...” “Oh, për atë Zot! Më vjen shumë keq”, tha Xamanji pas një momenti ngurrimi dhe duke ndalur një lumë pikëllimi që dukej se e kishte pushtuar gruan. “Ndonjë ide mbi shkakun e vdekjes? Mund të jetë rrëzuar për ndonjë arsye? Apo mendoni se ka qenë ndonjë tentativë grabitje?” Edhe inspektor Xamanji nuk dinte se si ta përballonte këtë situatë kaq të papritur që i kishte rënë si plumb. “Duke parë se dritarja ishte e hapur, një nga hipotezat, edhe pse jo më e besueshmja, është ajo e grabitjes. Kunata ime do shohë nëse i mungon ndonjë gjë në shtëpi dhe ma ha mendja se e ka bërë dje mbrëma ose do ta bëjë sonte. Më tha se më parë i duhej të merrte veten nga tronditja e papritur që kishte pësuar.” “E kuptoj”, foli Xamanji. “Nëse vërtet ka qenë tentativë grabitjeje, me siguri që autori do të vihet para akuzës për vrasje. Apo jo?”, pyeti Karla Mexogori. “Nëse gjërat qëndrojnë vërtet kështu, atëherë nuk ka dyshim se kështu do bëhet”, ia ktheu inspektori, pa u prononcuar më tej. “A do jeni të gatshëm, dua të them ju dhe ndoshta edhe bashkëpunëtorët e tu, që të shkonit e të bënit një inspektim?” “Sinqerisht jam pak i zënë me ca prioritete të tjera, gjithsesi mund të bëj një favor si të njohur që të kam dhe po shkoj të shoh si janë punët”, tundi kokën në shenjë aprovimi Xamanji, “E rëndësishme është që askush mos të prishë gjurmët brenda në shtëpi, edhe pse ma ha mendja se tashmë vendi i ngjarjes nuk është më i paprekur, edhe pse jo me dashje.” “Po, ka mundësi”, pohoi gruaja, “Dyshoj se kunata ime mos ka prekur ndonjë gjë dhe mund të mos t’i ketë lënë gjërat ashtu siç ishin më parë.” “E qartë. Në këtë rast, besoj se për këdo që do merret me këtë rast, do jetë e vështirë që të mbërrijë deri tek gjurmët e autorit të krimit.” “Nuk e di se çfarë do vendosësh që të bësh, por gjithsesi të falenderoj për interesimin.” “Do bëj atë që do mundem, por nuk të garantoj asgjë”, qe përgjigja e Xamanjit, dhe me të mbaruar telefonatën, vajti të lajmëronte kapiten Lucin se do largohej për pak si rezultat i një ngjarjeje të papritur.
Free reading for new users
Scan code to download app
Facebookexpand_more
  • author-avatar
    Writer
  • chap_listContents
  • likeADD